UT-JA NË ZGJEDHJE/GARË E “NXEHTË” NË FAKULTETE, VOTOJNË 3 MIJË STUDENTË

Universiteti i Tiranës nesër do t’i nënshtrohet procesit të zgjedhjeve, për të plotësuar vendet bosh  për  disa nga postet më të rëndësishme në drejtimin e fakulteteve.

Pas dorëheqjes se Valentina Dukës, si dekane e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, tashmë janë mësuar emrat të cilët do të kandidojnë për të zënë këtë post. Vendi i Dukës ka mbetur vakant, pasi ajo  është tërhequr nga ky post për shkak të mandatit të saj si deputete e Korçës, në radhët e Partisë Demokratike.

“Në zgjedhje marrin pjesë tre mijë studentë, ndërsa në garë janë dy profesorë të njohur: Ajula Jubani dhe Sabri Laçi”-shkruan Balkan Web.Gjithashtu po në këtë fakultet, vakant është posti i zv.rektorit, i cili është drejtuar nga deputeti i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim Shezai Rrokaj, i zgjedhur në qytetin e Vlorës.

Në këtë proces do të zgjidhen edhe disa shefa departamentesh dhe katedrash,pasi në zgjedhjet e fundit dolën në balotazh, ndërsa disa të tjerë kanë dhënë dorëheqjen ose kanë dalë në pension.