Roboti i parë shqiptar

Dy vjet më parë ideja për të nisi përmes një punimi shkencor doktorature. Eva Cipi dhe Alketa Hysi, inxhiniere kompjuterësh, hartuan softin e parë të një roboti “made in Albania”. U krijuan simulime për agjentë robotikë, të fokusuar në një sistem navigimi të palëvizshëm. Me shumë këmbëngulje dhe peripeci, projekti sot ka avancuar në këtë aplikacion.

“Qëllimi ka qenë ndërtimi i një prototipi robotik që do të aplikohet në supermarkete”, shprehet inxhinierja.

Për inxhiniere Evën, ky është një hibrid i sjellë në jetë përmes një arkitekture informatike shumë komplekse. Avantazhi i simulimit të këtij roboti, tanimë i përshtatur për një mjedis fizik, është kombinimi i simulimit off line dhe atij on line: “Për ne inxhinierët kapacitetet përpunuese të robotit janë të kufizuara. Me këtë kombinim ne rrisim kapacitetet përpunuese duke lejuar që sistemi ynë të performojë sjellje inteligjente të avancuara.”

Kjo krijesë e vogël informatike është e aftë të marrë komanda nga sistemi qendror, nëpërmjet të cilit lidhet me ‘wireless’: “Kjo është një pjesë e sistemit të menaxhimit implementuar tek një aparat i vogël. Realizon detyrën e furnizimit automatik në pikat e shërbimit.”

Që në një projekt më madhor mund të përkthehej në një robot, i cili do të marrë detyrën e furnizimit të rafteve të supermarketit me produkte, momentin që ato do të shiten.

“Roboti do të realizojë funksionet që kemi bërë në simulim. Si fillim e kemi ndërtuar në mënyrë që të shmangë përplasjet. Më pas e kemi ndërtuar që të kapë objektet e t’i lëshojë ato. Në të ardhmen do të jetë navigimi”, shprehet Gabor Vasmatics, i cili është inxhinier informatike dhe ka punuar veçanërisht për vënien në jetë të këtij aplikacioni. I dashuruar me krijesën e vogël modifikuar prej tij, Gabor thotë se prototipi është blerë dhe mbi të është punuar ideja e një roboti-agjent që do të zëvendësonte edhe punonjësin më të devotshëm në një supermarket gjigand. Pajisja ka qenë e kompletuar me sensorë dhe krahë, por i mungonte truri.

Sigurisht që ky nuk është një qenie perfekte me sjellje inteligjente informatike. Por për Evën tanimë janë marrë prova të sigurta për një projekt më madhor: “Punon normalisht edhe pse me disa kufizime.”

Roboti i parë i programueshëm në botë është krijuar më 1954 nga George Devol. Ai iu shit kompanisë General Motors në 1961, ku u përdor për transportin e pjesëve të nxehta metalike gjatë prodhimit të makinave në New Jersey. Prej atëherë robotika është zhvilluar me ritme marramendëse, por në Shqipëri kjo fushë preket në shekullin e 21-të, me një krijesë që edhe pse ende foshnjore, premton shumë.

Gabor thotë: “Ishte bukur kur realizuam komunikimin me ‘wireless’ se këtu kjo gjë nuk ishte bërë më parë”.