I dini perfitimet nga KARTA E STUDENTIT?

Studentët e pajisur me Kartën e Studentit nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për shërbimet e ofruara nga entet publike, institucione kulturore, përfitojnë shërbime me tarifa të reduktuara, në masën 50 për qind të çmimit të miratuar të biletave për këto institucione.
VENDIM
Nr. 287, datë 17.5.2006

PËR PËRFITIMET E STUDENTËVE NGA PËRDORIMI I KARTËS SË STUDENTIT, ME TARIFA TË REDUKTUARA PËR SHËRBIMET QË OFROJNË ENTET PUBLIKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të shkronjës “a” të pikës 2 të nenit 32 të ligjit nr.8461, datë 25.2.1999 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Studentët e pajisur me Kartën e Studentit nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për shërbimet e ofruara nga entet publike, institucione kulturore, përfitojnë shërbime me tarifa të reduktuara, në masën 50 për qind të çmimit të miratuar të biletave për këto institucione.
2. Ngarkohen institucionet e përcaktuara në pikën 1 për zbatimin e këtij vendimi.
3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga vetë institucionet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.