Frikë nga një tjetër dron mbi Beograd

Shteti serb i trembet një tjetër fluturimi të “Autochthonous” mbi stadium gjatë ndeshjes së 02 nëntorit mes Partizanit të Beogradit dhe Skënderbeut.

Që me natën e famshme të 14 tetorit 2014, me fluturimin e “Autochthonous” mbi stadium, në kryeqytetin serb kjo fjalë është kthyer në tabu dhe merren masa vazhdimisht që të mos përsëritet ai që tifozët serbë e kanë cilësuar si turpërimin dhe provokimin më të madh në historinë e tyre.

Ndaj para ndeshjes së të enjtes mes dy skuadrave po merren të gjitha masat që të ndalohet një ngjarje e ngjashme. Sipas mediave serbe, do të jetë praktikisht e pamundur që të ndodhë përsëri si pasojë e masave që ka vendosur që atëherë shteti serb, duke filluar që nga dhënia e licencave të mirëfillta për të përdorur dron.

Një nga vendet ku nuk lejohet tashmë me ligj që të përdoret një i tillë është stadiumi i Partizanit të Beogradit dhe zona përreth tij. Një turist i huaj u arrestua nga policia serbe pak kohë më parë pasi po mundohej të filmonte me një dron stadiumin dhe nuk ishte në dijeni të rregullave të reja.

Por edhe nëse një prej 330 personave të cilët kanë licencë në Serbi për të nisur dron do të dëshirojë të bëjë filmime mbi Beograd ditën e enjte me një nga 200 mjetet e autorizuara nga Aviacioni Civil, nuk do të jetë e mundur ta bëjë një gjë të tillë pa kaluar një kalvar të gjatë procedurash.

Do të duhet më parë që personi në fjalë të kërkojë leje nga Ministria e Mbrojtjes dhe më pas Ministria e Brendshme serbe, para se t’i jepet mundësia të filmojë në disa zona të caktuara të qytetit, të gjitha shumë larg stadiumit.

Çdo person tjetër që provon ta bëjë një gjë të tillë pa autorizim, kudo në qytet, do të cilësohet në shkelje të ligjit dhe do të arrestohet menjëherë. Me pak fjalë, po bëhet maksimumi që të evitohet përsëritja e një tjetër 14 tetori, një ngjarjeje e cila është kthyer në makthin e një shteti të tërë.