Ema Andrea, të zhvishesh për të përballuar dhembjen

Ajo zhvishet të jetë më e lehtë të përballojë dhimbjen. E shndërruar e tëra në rolin e nënës Ema Andrea është ndoshta krijesa më e arrirë e Jon Fosse tek vepra “Nëna dhe fëmija”. Drama e fortë e Fosse erdhi këtë fundjavë në Tulla Center nën regjinë e Dino Mustafiç, për të shtjelluar fabulën e padukshme dhe ende të fortë sot të “kompleksit të Edipit”

.

Një interpretim i guximshëm i Andreas e cila arriti të sillte dhembjen e vërtetë të një gruaje. Trupi nuk mund të rrijë indiferent ndaj dhimbjes, ndaj Andrea foli dhe me gjuhën e trupit. Në rolin e djalit interpretoi Matia Llupa. Një shfaqje kundër shoqërive patriarkale krejt larg teatrit tradicional apo atij “të realizmit socialist”, pesha e imazheve përballë krijonte një shkëputje të fuqishme nga bota përreth, duke bërë të gjykohet ajo e të kërkohen rrugë të reja përjetimi e jetese, larg formalizmave të shoqërive të “mbytura” nga paragjykimi e mungesa e lirisë.